Traduttore

martedì 8 gennaio 2013

Tirana Presentazione volume Albania


KUMTESË
Mbajtur në prezantimin e librit:
“Qëndresa e ushtarakëve italianë në Shqipëri” i autorit
Gjeneral Massimo COLTRINARI

datën 02.11.2011, në ceremoninë e promovimit të librit, të organizuar nga LBN Editor dhe Ambasada Italiane në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Tirana, Shqipëri.




Libri i gjeneral Massimo COLTRINARI “Qëndresa e ushtarakëve italianë në Shqipëri”, është botuar për herë të parë në Itali në vitin 2000. Ai vjen për lexuesin shqiptar gjashtë vjet pas botimit të librit “Ushtarakët Shqiptarë në Forcat e Armatosura Italiane, 1939-1943” të një tjetër autori italian zotit Piero Crociani.  
Në aspekte të pjesshme, libri i zotit Coltrinari ishte i njohur prej nesh, por i plotë dhe i përkthyer në shqip ai vjen për herë të parë sot në duart tona nëpërmjet “LBN Editor” me përkthimin e Zotit Guri PASHAJ, Kolonel në rezervë.
Libri ka një natyrë historiko-ushtarake dhe përbën volumin e nëntë në serinë e librave mbi “Rezistencën e ushtarakëve italianë”, që pas armëpushimit më 8 shtator 1943, i cili realizohet nga një Komision i veçantë studimor i Ministrisë së Mbrojtjes Italiane.
Në këtë libër autori përqëndrohet në zhvillimet ushtarake italiane në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore. Në një vëllim prej më se 1000 faqesh ai e ka ndarë veprën e tij në shtatë kapituj, duke filluar nga historia dhe konfigurimi gjeografik i Shqipërisë nga lashtësia, Lufta e Parë Botërore, misioni Telini, marrëdhëniet dhe zhvillimet politike ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë e deri në Bashkimin e Mbretërisë Shqiptare me Unionin Personal nën Viktor Emanuelin III. Sigurisht që pjesën kryesore në këtë vepër e zenë ngjarjet ushtarake të viteve 1943-1944, ku pasqyrohet situata e ushtrisë italiane, rezistenca e tyre ndaj kundërshtarit të ri, bashkëpunimi me forcat shqiptare si edhe fati i tyre pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Duke shfrytëzuar me mjeshtëri burimet arkivore të botuara dhe të pabotuara, raportet dhe relacionet ushtarake si italiane ashtu edhe të huaja por, duke u mbështetur edhe në deponimet e ushtarakëve italianë të mbijetuar, si edhe në literaturën e shumtë të shkruar, autori arrin të na japë sot një tabllo të qartë të situatës që kaluan trupat italiane në Shqipëri, sidomos pas kapitullimit të datës 8 shtator 1943, që përkon edhe me daljen e Italisë nga Boshti Qendror.
Më lejoni të jap disa konsiderata mbi këto ngjarje si dhe trajtimin e tyre nga autori:
Gjatë luftës, në Shqipëri ishte përqendruar Armata IX italiane  me rreth 118 mijë trupa nën Komandën e Gjeneral Kolonelit Lorenzzo Dalmazzo. Po ashtu, në Tiranë ndodhej edhe Komanda e Gruparmatës së Lindjes, që kishte nën Komandë gjithë forcat e dislokuara në Malin e Zi, Shqipëri dhe Greqi nën komandën e Gjeneral Kolonelit Enzio Rosi.
Data 8 shtator i gjeti komandat ushtarake italiane duke kryer detyrat e tyre të zakonshme. Rreth ores 18.00 nëpërmjet radios u transmetua lajmi i firmosjes së armëpushimit ndërmjet Italisë dhe Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Në një terr të plotë informativ dhe duke mos pasur mundësi komunikimi me Romën pasojnë urdhëra dhe vendime kontradiktore, të cilat do të diktojnë zhvillimet dhe fatin e ushtarëve italianë në Shqipëri.
Pra, Italia kapitulloi, qeveria e Badoglios kishte firmosur armëpushimin dhe shumë ushtarë italianë filluan të festonin, duke besuar se ky ishte fillimi i paqes, fundi i luftës dhe tashmë duhej të prisnin vetëm urdhërin për t’u kthyer në atdhe. Situatën e krijuar e përshkruan më së miri Komandanti italian i aerodromit të Shijakut, i cili u drejtohet ushtarëve të tij: “(...) Më duket se shumica juaj nuk e kupton atë që është duke ndodhur. (...) Nuk është lajm i paqes por lajm i luftës, sepse për Italinë lufta e vërtetë fillon tani. Pushoni këtë marrëzi dhe kthehuni shpejt në detyrat tuaja”[1] 
Prej muajit korrik 1943 Komanda e Lartë e Wehrmacht-it gjerman kishte planëzuar pushtimin e Shqipërisë nëse Italia do të dilte nga Aleanca. Gjermanët nuk mund të injoronin faktin që përtej ngushticës së Otrantos tashmë ndodheshin trupat e aleatëve anglo-amerikanë me kërcënimin real të tyre.
Për pasojë, Komanda gjermane, me qendër në Beograd urdhëroi kapjen me shpejtësi të bregdetit shqiptar. Motivet e pushtimit të shpejtë të hapësirës shqiptare nga Wehrmacht-i gjerman, në dokumentet arkivore italiane të shfrytëzuara nga autori janë dy:
Së pari duhej të kapeshin sa me shpejt brigjet Jonike shqiptare dhe greke nga frika e zbarkimit te forcave aleate anglo-amerikane dhe, së dyti, nëse ndodhte kjo gjë,  gjithë forcat italiane në Shqipëri mund të viheshin nën urdhrat e forcave aleate duke u kthyer në këtë mënyrë në një forcë kundërshtare të rrezikshme për gjermanët.
Në këtë kuadër është me vlerë të japim një vlerësim që Komanda Ndërlidhëse e Wehrmacht-it në Tiranë bënte për ushtrinë italiane në Shqipëri, më 1 gusht 1943, nënshkruar nga Gjeneral Majori Bessell. Ky informacion ishte i nevojshëm, me qëllim që trupat gjermane të njiheshin me forcën dhe moralin e ushtrisë italiane, sepse, një konfrontim ushtarak ndërmjet dy ish-aleatëve nuk mund të ishte fare i pamendueshëm! Ndër të tjera në këtë raport, i cili gjendet në Arkivin e Forcave të Armatosura Shqiptare shkruhet: “(...) Ushtari italian është i bindur, besnik dhe po ashtu trim, për aq kohë sa ai ndjen se është duke u drejtuar mirë. (...) Ai është besnik dhe krenar ndaj flamurit të tij, sidomos nëse ai ndjen se është duke u vëzhguar. Nën drejtimin gjerman dhe duke luftuar përkrah ushtarëve gjermanë  ai nuk do të ishte më pak i gatshëm dhe më pak trim se këta të fundit. (...) Atje ku një batalion italian lufton përkrah një batalioni gjerman, cdo ushtar italian do të ndihej i turpëruar nëse do të tregohej më pak trim se ushtari gjerman përkrah tij (...).[2]
Ajo çka e mundonte Gjeneral Kolonel Rosin në këtë situatë ishte sigurimi i largimit të forcave të tij në drejtim të Italisë. Për këtë ai urdhërohet me radio nga Komanda Supreme të përqëndronte trupat e tij në mënyrë të përshtatshme në bregdet, duke garantuar në çdo rast zotërimin dhe kontrollin e porteve kryesore dhe sidomos, në veçanti portin e Durrësit dhe Kotorrit. Kjo gjë duhej të negociohej me gjermanët, të cilët tashmë vepronin në mënyrë të orientuar dhe të vendosur.
Autori i librit, duke u bazuar në raportet dhe realicionet ushtarake gjermane dhe italiane zbërthen ne detaje veprimet e instancave ushtarake italiane, kryesisht të gjeneralëve Rosi dhe Dalmazzo. Nuk mungon dhe qëndrimi kritik ndaj vendimeve të marra prej tyre. Për këtë ai shkruan: “Ngjarjet me ushtarët tanë në Shqipëri, gjatë dhe pas armëpushimit të shtatorit 1943, shkuan drejt përfundimit, pjesërisht të hidhur, me pak episode pozitive dhe shumë më tepër negative (...). Qëndrimi i komandantëve tanë në tokën shqiptare, gjatë dhe pas krizës së armëpushimit, është për shumë arsye i censuruar dhe i kritikuar, por nuk është e justifikueshme harresa në të cilën janë lënë zhvillimet dhe ngjarjet shqiptare të periudhës së post-armëpushimit”.[3]
Akti i firmosjes së marrëveshjes për çarmatimin e gjithë trupave Italiane në Shqipëri, Malin e Zi dhe Greqi, nga Rosi, duke marrë përkundrejt urdhrit të çarmatosjes të lëshuar prej tij garancinë e riatdhesimit të trupave italiane do të shënonte edhe fatin e keq dhe fillimin e peripecive për këto trupa, sepse gjermanët nuk do t’i përmbaheshin marrëveshjes.
Menjëherë pas firmosjes së saj Rosi u arrestua nga gjermanët dhe u nis si rob lufte në Beograd. Pasi Dalmazzo, Komandanti i Armatës IX, kundërshtoi të marrë postin e Rosit, po ashtu edhe ai u arrestua dhe, së bashku me Armatën e tij, u deklaruan nga gjermanët robër lufte.
Pas këtij veprim, në Tiranë e kudo, u veprua me shpejtësi në çarmatosjen dhe dërgimin e ushtarakëve italianë drejt Manastirit (Bitolaj) nga ku, nëpërmjet formave mashtruese,  gjoja për ti kthyer në atdhe, i dërgonin në kampet e përqëndrimit dhe në frontin e Lindjes nga ku, shumë prej tyre, nuk u kthyen më.
Në një kapitull të veçantë trajtohet rezistenca e ushtarakëve italianë në Shqipëri, ku hidhet dritë mbi fakte e ngjarje të shumëllojshme. Në këtë pikëpamje trajtohet  edhe shkrirja e rreth 25.000 trupave italiane me popullsinë vendase, duke gjetur strehë te familjet fshatare shqiptare. E parë në përgjithësi, për sa i përket qëndrimit të popullsisë shqiptare për të shpëtuar jetën e këtyre njerëzve, deri dje pushtues, vlerësimet janë tepër pozitive. Në libër përshkruhen episode nga më të çuditshmet për bujarinë, kurajon dhe zemërgjerësinë e shqiptarve.
Nga gjithë këta ushtarë italianë, rreth 5.000 prej tyre ishin të armatosur. Ngjarjet operative në muajt pasues do të bënin seleksionimin e këtyre njerëzve, duke sqaruar shumë mirë qëllimet dhe detyrat që ata do të kryenin. Nga këta 5.000 vetë të armatosur që ishin prezent në shtator 1943, vetëm gjysma e tyre do të vazhdonin luftën partizane kundër gjermanëve gjatë vitit 1944.
Ky fakt është deformuar disi në historiografinë italiane të pas luftës. U krijua idea, që gjithë këta ushtarë dhe oficerë italianë luftuan të inkuadruar në batalionin “Antonio Gramsci”, si një formacion i pastër i armatosur italian, i cili luftonte për krijimin e një shteti komunist. Autori e analizon këtë fenomen dhe arrin qartë në përfundimin se ky është një keqinterpretim, duke e shpjeguar atë me dominimin komunist në udhëheqjen e luftës partizane në Shqipëri. Vetë fakti që, batalioni “Gramsci” u shkatërrua dhe u ringrit tri herë, vetëm nga dëshira shqiptare, duke mos e kaluar asnjëherë numrin e 500-700 ushtarëve[4] e shpjegon këtë gjë. Duhet theksuar që, rreth 2000 italianë të tjerë të inkuadruar nën Komandën Italiane të Trupave  të Malit luftonin brenda radhëve të njësive partizane, pavarësisht nga bindjet e tyre ideologjike.
Vetëm në fund të luftës, pra në momentin e riatdhesimit të këtyre trupave italiane, në batalionin “Gramsci” u grupuan gjithë forcat italiane duke u shndërruar nga Batalion, fillimisht në Brigadë e më pas në Divizion. Ky ndryshim u bë nga pala shqiptare, me qëllim ideologjizimin e pjesëmarrjes italiane në luftën Nacionalçlirimtare. Për ushtarakët italianë ideologjia dhe karakteri i luftës në Shqipëri nuk ishte i rëndësishëm. Sigurisht në plan të parë kalonte lufta kundër gjermanëve, për të krijuar një Evropë më të mirë dhe të çliruar nga çdo diktaturë, por edhe për të hedhur pas krahëve një të kaluar jo të lavdishme. Lufta e tyre nuk mund të ideologjizohet edhe për faktin që pas lufte dikush u bë komunist, dikush republikan e dikush tjetër monarkist.
Arsyet e mosveprimit të gjeneralitetit italian në Shqipëri dhe nënshtrimin e tyre ndaj kërkesave të gjermanëve, duke filluar prej lëshimit të porteve kryesore shqiptare, urdhërit për të mos hapur zjarr ndaj gjermanëve në raste provokuese - - ç’ka në fakt ka ndodhur - e deri në urdhrin përfundimtar të Gjeneralit Rosi për të dorëzuar armët, autori, e shpjegon edhe me faktin që, për gjithë këto grada madhore, të cilët pothuajse të gjithë kishin kaluar në filtrat dhe veshjet diskriminuese të fashizmit ishte tepër e vështirë që brenda një kohe shumë të shkurtër në mënyrë radikale të kalonin në anën tjetër të barrikadës dhe të  kthenin armët kundër gjermanëve por edhe kundër fashistëve, me të cilët për vite të tëra kishin bashkëpunuar.
Autori arsyeton që, ky mosorientim dhe mosveprim i komandantëve italianë në këtë situatë të vështirë, e gërshetuar me aftësitë, dinakërinë e shfaqur nga gjermanët dhe vlerat e tyre ushtarake, por edhe si pasojë e miopisë operativo-strategjike të Aleatëve do të kishte pasoja fatale për trupat italiane të lëna në mëshirë të fatit në Shqipëri. Përvoja historike e pas 8 shtatorit 1943 tregoi se atje ku njësitë italiane u drejtuan mirë dhe me vendosmëri si në rastin e divizioneve “Perugia”, “Brennero” dhe “Firenze” u zbatuan urdhrat dhe u plotësuan detyrat e ngarkuara operative. Nëse forcat aleate do të kishin ndërhyrë në këtë moment kritik duke zbarkuar në Shqipëri dhe duke i koordinuar veprimet e tyre me trupat italiane, pavarësisht se historia nuk mund të shkruhet mbi hipoteza, edhe historia e Shqipërisë e pas luftës mund të kishte pasur tjetër rrjedhë!         
Së fundmi mund të thuhet se ky libër përmban dhe mbart jo vetëm vlera historike të shumta referuese për studiuesit e historisë ushtarake por në të njëjtën kohë i shërben shumë edhe marrëdhënieve midis dy vendeve. “Kush nuk njeh të shkuarën - shkruan publicisti i njohur Italian i shekullit XX Indro Montanelli - nuk mund të ketë te ardhme”.
Kontributi i Gjeneral Coltrinari si autor i këtij libri i afron gjithmonë e më shumë flamujt e të dy vendeve.  





[1] Massimo COLTRINARI: Qëndresa e ushtarakëve italianë në  Shqipëri, LBN Editor, Tiranë 2011, f. 197.
[2] AQFA, Fondi i Komandës Gjermane 1943-1944, Dosja 7, viti 1943, f. 37-42.  
[3] COLTRINARI, f. 1003.
[4] Nëse ballafaqojmë këto shifra të autorit me të dhënat e historisë shqiptare vemë re se ato nuk korrespondojnë me njëra tjetrën. Historiografia shqiptare jep pwr batalionin italian „Gramsci“ një numër prej 137-150 ushtarësh. Madje, në historikun e Brigadës së Parë Sulmuese janë të rreshtuar edhe emrat e ushtarakëve italainë të këtij batalioni. 

Nessun commento:

Posta un commento